“Escape”, në të rrahurën e parë të dëgjimit të të jep idenë e eksodeve, ikjeve, largimeve fizike, por në këtë vepër lidhet me një arratisje të brendshme. Një përpjekje e heshtur për të dalë, për tu larguar, si një revoltë e unit për një eksplorim të skutave më të errëta të qënies, atyre të kurrëshkelura as në momentet më intime të përballjes së njeriut me veten. Piramida në një këndëvështrim të ftohtë, simbolizon perfeksionin, arritjet, majat dhe kulmin e një cikli. E nëse shohim përtej së dukshmes, simbolizon dhe një tjetër rend, jo atë fizik, atë emocional ndërtuar nga ëndrrat, synimet, qëllimet dhe përpjekjet. “Escape” është një piramidë e përmbysur… Rendi i përmbysur, ç’rrënjosje dhe kaos. Një piramidë e çarë, e goditur, gati e shkatërruar, me plagë. E shpuar nga heshtat, të cilat i përshkrojnë trupin dhe e mbajnë pezull, në një platformë katrore të ftohtë brenda një tjetër kufiri. Një flirtim ndërmjet reales dhe surreales, trupores dhe shpirtërores, të prekshmes dhe të pamundurës. Duket si një objekt i rënë, i ardhur nga një tjetër dimension. Ky instalacion nuk është një ikje, është një lidhje, dialog i heshtur. Një dualitet i pamohueshëm, një bashkëjetesë mes tensionit dhe dhimbjes. Një fragment i egër, i thyer, i gdhendur nga koha dhe tensioni i brendshëm. Nuk është deklamativ, nuk kërkon vëmendjen, por qëndron në heshtje, bërtet me qetësinë shpuese. Një përvojë emocionale tejet intime, një marrëdhënie vetëm me atë lloj publiku i cili ndjen nevojën për një “Escape”. Arratisje nga vetë kufizimet. Vendoset brenda strukturës metalike e shkëputur nga toka me të vetmet kontakte heshtat. Struktura katrore nuk ka vetëm qëllime mbajtëse, por dhe konceptuale si një platformë izoluese. Një mbrojtje, jo vetëm fizike, por edhe si një ruajtje e momentit, intimitetit të emocionit.Lufta e brendshme që nuk mbaron kurrë