Ideja e skulptures nisi me dëshiren për të mishëruar një ikje të heshtur, jo si një akt dobësie, por si një lëvizje e brendshme drejt një vendi më të vërtetë. Një paraqitje e një trupi blu e thellë, i palëvizshëm dhe kompakt, përfaqëson gjithçka nga e cila njeriu largohet: pesha e formave, e materies, e pritshmërive. Është prania e fortë e së tashmes, nga e cila mendja kërkon një dalje.Ikja merr formë në kokë, aty ku uji ngrihet në një valë të pamundur, si një mendim që shpërthen përtej kufijve. Është stuhia mendore e atij që dëshiron të ikë, e atij që ndjen se brenda vetes deti nuk pranon të qëndrojë i qetë. Maja e valës, e gdhendur në lëvizje, është çasti i saktë kur lind impulsi i arratisjes: një impuls i pastër, intuitiv, i pashmangshëm. Dhe pastaj dielli i verdhë, i pezulluar në ekuilibër. Ai është destinacioni i ikjes, ose ndoshta justifikimi i saj. Një pikë e largët drite e imagjinuar, një ide e shndritshme që i jep kuptim largimit, që i jep arsye nxitjes. Drita vendoset mbi valë si një ëndërr mbi kreun e atij që kërkon një hapësirë tjetër.Këtu arratisja nuk është largim: është transformim.
Të ikësh nga palëvizshmëria drejt lëvizjes tënde natyrale.
Të thyesh formën për t’u bërë sërish i lëngshëm.
Të lësh botën e ngurtë pas dhe të ndjekësh atë që ndriçon.Skulptura tregon se ikja mund të jetë një akt krijues, një akt i domosdoshëm, një mënyrë për t’u gjetur vetvetja. Është një bust që ka ende këmbët në realitet, por mendjen tashmë diku tjetër — tashmë det, tashmë dritë.